Tiranë- 38 persona janë vrarë në Shqipëri 8 muajt e fundit. Një bilanc lufte, që ka nisur me vrasje mafioze, e krime pasioni dhe ka përfunduar me masakrën e Selenicës në Vlorë. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT dhe Policisë Shqiptare, Report TV zbulon se që nga 1 janari i 2018-së deri në 25 gusht, kanë ndodhur 38 vrasje me dashje.
Që në ditët e para të janarit vendi do të tronditej nga vrasja e Emiljano Boçit, Devi Kasamit dhe krimit të pasioni nga Aldison Belulaj. Emiljano Boçi u ekzekutua vetëm 2 muaj pasi doli nga burgu, ku ishte dënuar për tentativë vrasje. Autorët e kësaj ngjarje ende nuk dihen. Pak ditë më vonë Aldison Belulaj ka vrarë ish-të dashurën e tij Ariela Muratin dhe më pas veten.
Një ndër vrasjet tipike mafioze ishte atentati ndaj Devi Kasmit. Ai u qëllua poshtë shtëpisë së tij dhe autori i dyshuar është greku Efthymiou Efthymious.
Vrasja e Devi Kasmit u organizua nga një grup kriminal, dhe për vdekjen e tij dyshohet se u paguan shuma të mëdha parash.
Tirana u trondit përsëri në muajin shkurt ku u vra Memli Begalla. Për këtë ngjarje janë arrestuar Denis Demiri dhe Ardian Serezi. Begalla u qëllua me 1 plumb në kokë dhe shkak dyshohen konfliktet e vjetra.
Vrasjet në familje dhe atentatet për shkak të së shkuarës kanë vijuar edhe në qytete të tjerë, si Durrësi, Pogradec, Dibër etj.
Në muajin prill në Tiranë u vra Mario Majollari. Ai ishte kthyer nga Suedia pasi iu refuzua azili. Autori i dyshuar është Kastriot Gjuzi, i cili dyshohet se e vrau Mario Majollarin për shkak të gjakmarrjes. Në vitet 2000 babai i Marjo Majollarit, kishte vrarë vëllain e Kastriot Gjuzit.
Në 8 qershor një tjetër krim pasioni tronditi Tiranën. Xhaferr Mata vrau ish-të dashurën e tij Xhuljeta Çunin dhe më pas veten. 31-vjeçari dyshohet se e vrau pasi 19-vjeçarja refuzoi të vazhdonte lidhjen me të.