Dyshimet e hedhura në momentet e para, për zajrrvënie të qëllimshme në çerdhen 14, një javë më parë nga drejtuesja e qendrës së zhvillimit ekonomik të fëmijëve në bashkine e Tiranës janë konfirmuar nga ekspertiza.
Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri ka bërë publik akt-ekspertimin, sipas të cilit zjarri është shkaktuar nga faktorë të jashtëm.
Në raport thuhet se në xhamin e dritares së thyer dhe poshtë saj në pjesën e jashtme është gjetur e vendosur një shkallë, ndërsa në brendësi, të shtesës që shërbente si magazine janë gjetur disa kuti të djegura dhe një bombol gazi e dëmtuar në pjesën e sipërme nga zjarri.
Rregullatori i gazit rezulton se ishte i shkëputur bashkë me tubin.
Sipas ekspertizës, shpërthimi është shkaktuar nga gazi i çliruar nga bombola, pasi ka rënë në kontakt me pjesën e djegur të kutive të kartonit.
Por përfundimi i ekspertizës nuk ka bindur selinë blu, e cila ka reaguar duke e quajtur qesharake.
Ekspertët po punojnë edhe për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit në çerdhen 16. Edhe për këtë rast, policia ka nisur një hetim për zjarrvënie të qëllimshme.