ITALI- Gjykata e Katanias ka vendosur të lirojë nga burgu Nezar Seitin, i njohur ndryshe si ?financeri? i grupit Habilaj. Burime për Shqiptarja.com dhe Report Tv bëjnë me dije se Seiti kishte dorëzuar një kërkesë pranë Gjykatës së Katanias për mungesë provash.
Pas shqyrtimit të dosjes, gjykata vendosi sot të lehtësojë masën e vendosur ndaj Seitit, duke zbutur masën nga ?arrest me burg? në ?arrest shtëpie?. Lajmi konfirmohet edhe nga avokati i Seitit, Detar Hysi.
Prokuroria e Katanias ka apeluar vendimin e Gjykatës duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga ?arrest shtëpie? në ?arrest me burg?, ndërkohë që edhe Seiti ka apeluar masën e sigurisë ?arrest shtëpie?, duke kërkuar lirimin e tij.
Në datën 4 shtator pritet të zhvillohet seanca ku do jepet vendimi i radhës për Seitin.
Nezar Seiti është një nga personat e akuzuar si pjesë e bandës së Habilajve. Seiti njihet ndryshe si financieri i grupit, pasi akuzohet se bënte shpërndarjen e parave mes anëtarëve të bandës, para këto të fituara nga trafiku i kanabisit.
Seiti nuk ka pranuar akuzat e prokurorisë së Katanias për implikim në trafikun e drogës. Seiti është shprehur më herët se me Habilajt ka vetëm lidhje krushqie.
Seiti u ekstradua në Itali në datën 25 janar 2018, pak javë pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane. Seiti u shpall në kërkim në tetor, pak javë pasi anëtarët e grupit të Habilajve u ndaluan nga policia.
Gjykata e Katanias kishte lëshuar një urdhër arresti për të dhe gjykata shqiptare lejoi ekstradimin e tij, pas arrestimit të tij në Vlorë. Ekstradimi i tij hapi një tjetër debat në politikën shqiptare se a duhet të ishte ekstraduar Nezar Seiti, përsa kohë që po hetohej edhe në Shqipëri.
Grupi kriminal ishte në përgjim që prej vitit 2013, dhe në dosjen e prokurorisë së Katanias, përmendej edhe ish-ministri Tahiri nga ana e grupit kriminal. Habilajt kanë përdorur emrin e ministrit si të përfshirë në trafikun e kanabisit.