Shkarkimi i gjyqtarit të Apelit të Durrësit, Besim Trezhnjeva nga vettingu pasi nuk justifikoi dot pasurinë, detyron Gjykatën e Lartë të hapë sërish garën për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Për këtë pozicion kandidat nga rrethet ishte vetëm Trezhnjeva. Por pas largimit të tij, Gjykata e Lartë fton gjykatësit e Apelit në rrethe të kandidojnë.
Kjo është thirrja e dytë që bën Gjykata e Lartë dhe nëqoftë se edhe pas thirrjes së dytë nuk paraqiten kandidatë nga shkallët e papërfaqësuara të gjyqësorit, zgjedhja e tyre bëhet me short nga radhët e gjyqtarëve që kanë kandiduar për vendin vakant.
NJOFTIMI I PLOTË
RISHPALLJE E THIRRJES PËR PARAQITJEN E SHPREHJES SË INTERESIT NGA GJYQTARËT E GJYKATAVE TË APELIT JASHTË TIRANËS PËR POZICIONIN E ANËTARIT TË KËSHILLIT TË LARTË GJYQËSOR.
Në procesin e krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Gjykata e Lartë vepron në zbatim të urdhërimeve kushtetuese e ligjore, e në mënyrë të vecantë të pikës 2 të nenit 147 të Kushtetutës, të pikës 1 të nenit 7 si dhe të pikave 4 dhe 5 të nenit 11 të ligjit nr. 115/2016 ? Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë?, në të cilët parashikohet se:
Neni 147/2 i Kushtetutës
Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë i zgjedh Kuvendi, nga radhët e juristëve jogjyqtarë.