Trafiku i rënduar në Berat/ Kthimi i emigrantëve shkakton kaos dhe radhë kilometrike në qytet

2018-08-20 0

Drejtuesit e automjeteve në Berat janë përballuar ditët e fundit me një trafik tejet të rënduar në të gjitha akset që përshkojnë qytetin. Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në rrugë, duke e bërë vështirësisht të qarkullueshëm hyrjen në qytet dhe daljen prej tij.

Berati është një qytet që përshkohet nga vetëm një rrugë kryesore dhe kjo ka bërë që makinat të bllokohen në trafik me minuta të tëra,madje në disa raste janë bllokuar në trafik edhe ambulancat.

Edhe pse forca të shumta të policisë rrugore kanë qënë të pranishme në çdo aks të qytetit,trafiku ka filluar të normalizohet vetëm pas orën 15:00 të drekës për të filluar sërish ngarkesën gjatë orëve të darkës.

Sipas policisë rrugore, ardhja e emigrantëve beratas pranë familjeve për të kaluar pushimet si dhe pelegrinët që shkojnë të festojnë në Malin e Tomorit, ka sjellë edhe shtimin e numrit të mjeteve në rrugë.

Ndërkohë që një tjetër problem është mungesa e Unazës së qytetit,që i detyron të gjitha automjetet,madje edhe ato me tonazh të rëndë, të kalojnë në të vetmen rrugë që përshkon Beratin.

Një tjetër faktor që ndikon në bllokimin e trafikut në qytet, sipas policisë,është edhe mungesa e sinjalistikës rrugore dhe mungesa e semaforëve. Për t?ju ardhur në ndihmë kanë ardhur dhe punonjësit e Policisë Taks-Forcë Tiranës si dhe po monitorohet nga ajri me dron çdo lëvizje dhe parregullsi të drejtuesve të mjeteve.