Ora News - Treni përplas makinën në Golem, shpëton mrekullisht familja 6 anëtarëshe

2018-08-17 7

Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Një aksident hekurudhor është regjistruar rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm në Kavajë, 17 gusht 2018.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Përroit të Agait në Golem, ku një tren mallrash ka përplasur një automjet tip "Volvo" me targa angleze J006 SMM që kalonte mbi shina.

Në mjet udhëtonin 6 anëtarët e familjes Cenalia, prindërit Bardhyl dhe Luçia Cenalia dhe katër fëmijët të cilët kanë marrë lëndime të lehta.

"Më datë 17.08.2018, rreth orës 09:10, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, treni është përplasur me një mjet tip "Volvo" me targa angleze me drejtues shtetasin B. C. rreth 40 vjeç, banues në Durrës, i cili në mjet ka qenë me bashkëshorten L.C. 38 vjeçe dhe katër fëmijët, përkatësisht tre djemtë L.C 8 vjeç, D.C 6 vjeç, O. C 2 vjeç dhe vajza E.C 4 vjeçe" informon policia.

Ata janë transportuar me autoambulancë drejt spitalit të Durrësit për kontroll dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Treni e ka marrë zvarrë mjetin në shina rreth 30-40 metra por fatmirësisht mjeti ishte i ri dhe janë hapur të gjithë thasët e shpëtimit duke bërë të mundur që anëtarët e familjes të shpëtojnë pa dëmtime serioze.

Familja kishte ardhur nga Londra për pushime

Mësohet se familja kishte ardhur nga Londra për pushime në Shqipëri.

Ata kishin marrë një banesë me qira në Golem dhe në momentin e aksidentit po udhëtonin drejt plazhit.

Ende nuk dihet shkaqet e aksidentit por dyshohet për një kalim të gabuar të drejtuesit të mjetit.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/treni-perplaset-me-autobusin-ne-afersi-te-golemit-dyshohet-te-plagosur