Ora News - Autori i masakrës së Selenicës jo i sëmurë

2018-08-14 0

Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Autori i masakrës me tetë të vdekur në Selenicë të Vlorës nuk vuan nga problem mendore. Kështu kanë pretenduar prindërit e 24-vjeçarit Ritvan Zykaj gjatë marrjes në pyetje në drejtorinë e policisë në prani edhe të prokurorit të çështjes.

Për këtë arësye prokuroria tha se nuk ka planifikuar të kryejë ekspertizë për gjendjen mendore të 24-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e tetëfishtë, pasi nuk ka shkak ligjor duke qenë se edhe vetë autori nuk ka shfaqur çrregullime gjatë marrjes në pyetje.

Burime të prokurorisë së Vlorës, thanë për Ora News, se gjatë dhënies së deklarimeve, shtetasit Sadik dhe Lindita Zykaj kanë thënë se djali i tyre ka pasur vetëm një traumë nga djegia në pjesën e poshtme të trupit disa vite më parë.

Sipas dëshmisë së prindërve, 24-vjeçari nuk ka shfaqur asnjë problem tjetër apo sjellje të pazakontë ndërsa shumicën e kohës e kalonte duke ruajtur bagëtitë por edhe në mal ku shkonte për gjueti.

Hetimet në lidhje me masakrën e Selenicës kanë zbardhur edhe një detaj tjetër në lidhje me armën e krimit tip kallashnikov të përdorur nga Ritvan Zykaj për të qëlluar tetë viktimat.

Gjatë dëshmisë së dhënë para grupit të hetimit, autori ka shpjeguar se kallashnikovin me dy karikatorë me fishekë, e mbante të fshehur në pyll, në një zonë pas shtëpisë në largësi rreth 100 metra.

Pikërisht në atë vend, Ritvan Zykaj ka shkuar ditën e ngjarjes, pas drekës familjare në të cilën nëna e tij Lindita Zykaj kishte pasur debat me Vasilika Zykajn, që më pas u bë një nga viktimat e ngjarjes.

Ajo e kishte akuzuar 24-vjeçarin për vjedhjen e pulave të detit ndërsa grupi i hetimit bën me dije se konfliktet mes Vasilikës dhe nënës së autorit kanë qenë të vazhdueshme. Në lidhje me shenjat e dhunës në fytyrën e autorit të masakrës, prokuroria bëri me dije se 24-vjeçari nuk ka paraqitur asnjë pretendim. Jo zyrtarisht mësohet se shenjat e dhunës tek Ritvan Zykaj janë krijuar në momentet kur policia neutralizoi të kërkuarin gjatë arrestimit që ndodhi shtatë orë pas masakrës me tetë të vrarë mes të cilëve edhe fëmijë.
Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/autori-i-masakres-se-selenices-jo-i-semure