Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili sipas shumë raporteve ndërkombëtare mbron praktikat korruptive të gjyqtarëve dhe bën qoka me anë të vendimeve, ka vlerësuar maksimalisht gjyqtarët e shkarkuar deri më tani nga komisioni i Vetingut, për mosjutifikim të pasurisë, kontakte të papërshtatshme me krimin apo për paaftësi profesione.
Gjyqtarët që sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut, nuk janë të përshtatshëm për të shërbyer në drejtësisë e re, janë vlerësuar me pikë maksimale nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, si njerëzit më të shkëlqyer të sistemit. Me vendim nr. 87/3, datë 08.07.2016, KLD ka vlerësuar ?shumë mirë? gjyqtarin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Bledar Abdullai, i shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit për shkak të deklarimit të jo të saktë dhe mosjustifikimit të pasurisë së deklaruar.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me vendim nr. 14/12 datë 26.01.2015 ka vlerësuar ?shumë mirë? gjyqtarin pranë Gjykatës Apelit Tiranë, Ervin Metalla, bazuar në të gjitha kriteret e vlerësimit, që nga efektiviteti, cilësia e gjykimit, koha e gjykimit, aftësitë organizative, produktiviteti, qartësia e të shkruarit të vendimeve, etika gjatë dhe jashtë procesit gjyqësor etj. Ndërkaq, Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, pas një hetimi të thelluar, bashkë me përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, vendosi të shkarkonte Ervin Metallën si i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. KLD, në shtator të 2013, ka miratuar aktin e vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarit në Gjykatës e Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva, duke e vlerësuar maksimalisht.