Gjykata liroi autorin që i theu këmbët me makinë, polici apelon: S'ishte aksident, dua drejtësi

2018-08-13 4

Dy javë pas aksidentit të rëndë në qendër të qytetit të Kuçovës, efektivi i policisë Jonuz Vrapi që u godit nga një automjet dhe për rrjedhojë theu të dyja këmbët, bën apel në media për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien në pranga të autorit.

Menjëherë pas daljes nga Spitali i Traumës në Tiranë, polici Jonuz Vrapi ka kërkuar drejtësi për veten duke deklaruar se, ngjarja nuk ishte aksidentale por ishte e qëllimshme. Vrapi tregon se, atë natë ishte duke patrrulluar në rrugët e qytetit me kolegun e tij dhe pasi kishin parë një konflikt, kishin zbritur nga mjeti dhe i ishin afruar një grupi njerëzish që po debatonin me 37-vjeçarin Ylli Luka, duke i kërkuar atij të mos ecte me shpejtësi në këtë zonë të banuar.

Vrapi është shprehur se i ka kërkuar Lukës të futej në mjet dhe të largohej, por ai nuk u largua. Drejtuesi i mjetit- tha Vrapi- me frena dore xhiroi me të katërta gomat dhe eci mbrapsht iduke më goditur dhe mjeti pasi doli 5-6 metra larg turmës kishte mundësi përsëri të largohej, por u kthye dhe i ra sërish turmës.

Vrapi e cilëson 37-vjeçarin Ylli Luka, nga fshati Nikël i Krujës, një njeri problematik dhe tregon se ai e ka arrestuar disa muaj më parë, pas denoncimit të bërë në policinë e Kuçovës nga bashkëjetuesja e tij për dhunë ndaj saj. Vrapi pohon se edhe pse ka qenë në shërbim në krye të detyrës, me uniformën dhe me mjetin e policisë, deri tani nuk i është marrë asnjë deklaratë në lidhje ngjarjen e rëndë, edhe pse ai është i dëmtuari.