Prokuroria zbardh dinamikën e masakrës, akuzat i nisi gruaja e Besimit: Ritvani më ka vjedhur pulat!

2018-08-13 5

Prokuroria zbardh dinamikën e masakrës së 8-fishtë në Resulaj të Selenicës. Në aktaktuzën e Prokurorisë thuhet se shkak për tragjedinë kanë qenë akuzat e familjes së viktimave ndaj Ritvan Zykajtpër vjedhjen e pulave të detit. Një nga viktimat, Vasilika Zykaj, ka debatuar me të ëmën e autorit, Lindita Zykaj pikërisht për këtë çështje.

Edhe gjatë drekës në shtëpinë e gjyshit, Kujtim Zykaj, Ritvani ka ngritur shqetësimin se për çdo gjë akuzohet ai. 24-vjeçari largohet i pari nga dreka brenda pak minutash dëshmitarët dëgjojnë të shtënat me armë zjarri. Killeri në gjakftohtësi të plotë pas masakrës, filmon viktimat me telefon celular dhe videon shokuese ia dërgon kushëririt të tij, djalit të hallës, Olardio Hoxhaj.

Dinamika e ngjarjes sipas Prokurorisë
Vasilika Zykaj, një nga viktimat e masakrës së Resulajt në Selenicë, ka debatuar me nënën e killerit, Lindita Zykaj, duke i shprehur asaj shqetësimin se djali i saj, Ritvan Zykaj i kishte vjedhur pulat e detit. Vjedhje kjo e ndodhur pikërisht ditën e masakrës. Bujar Zykaj, xhaxhai i autorit, ndërhyn për të shuar tonet me dy grave. Ritvani dhe motra e tij vijojnë rrugën për te shtëpia e gjyshit të tyre, Kujtim Zykaj, pak minuta larg banesës së tyre.

Bujar Zykaj dhe kunata e tij, Lindita Zykaj, pasi kanë diskutuar mosmarrëveshjen me Vasilikën dhe familjarë të tjerë të Vasilikës, i kanë sqaruar se djemtë nuk kishin lidhje me vjedhjen e pulave të detit dhe për momentin mosmarrëveshja është sqaruar qetësisht. Pas kësaj, Bujari me Linditën kanë shkuar te shtëpia e Kujtimit, ku do të zhvillohej dreka.

Gjatë drekimit familjarisht ku edhe vetë killeri ka qenë prezent është diskutuar edhe njëherë rasti i mosmarëveshjeve me Vasilikën dhe Ritvani është shprehur dhe është ankuar se Vasilika Zykaj për çdo rast të tillë akuzonte atë me pa të drejtë. Rreth 30 minuta para se të ndodhte ngjarja, Ritani është ngritur nga dreka dhe është larguar nga banesa e Kujtimit. 

Pak çaste pas këtij momenti, sipas raportit të Prokurorisë, dëgjohen krismat e armës, por dëshmitarët nuk arrinin të dallonin drejtimin e tyre. Pasi krismat kanë pushuar, dy prindërit e autorit, Sadik dhe Lindita Zykaj janë larguar nga banesa e Kujtimit Zykajt dhe i janë drejtuar shtëpisë së tyre.