Tiranë- Armët në Shqipëri vazhdojnë të marrin jetë njerëzish si dhe në rastin e tragjedisë së fundit me 8 viktima në Resulaj të Vlorës. Por sistemi i drejtësisë edhe këtu ka peshën e tij, pasi ndryshimet ligjore të miratuara në parlament të cilat rrisnin dënimet deri në 15 e 20 vite për armëmbajtje pa leje u shfuqizuan nga Gjykata kushtuese më 26 shkurt të 2016 pasi për këto dënime të rritura u ankua Gjykata e Apelit në Vlorë.
Qeveria shqiptare me ligjin 98 datë 31.7.2014 vendosi të ashpërsojë dënimin për armëmbajtje pa leje. Këto ndryshime asokohe u propozuan nga ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili rriti marzhet e dënimit nga 5-15 e deri në 20 vite burg për ata persona që kapeshin me armë pa leje, municione dhe lëndë plasëse.
Këto masa u shoqëruan dhe me një aksion për mbledhjen e armëve ku nuk mungoi as kritika për këngëtarët të cilët në videoklipet e tyre përfshinin skena të dhunshme dhe përdorimin e armëve.
Këto dënime të ashpërsuara deri në dy dekada në qeli për armëmbajtje pa leje u dërguan në Gjykatën Kushtetuese.
Por si u rrëzuan këto dënime të larta dhe pse situata me armëmbajtje në Shqipëri është shqetësuese prej dy dekadash dhe çdo muaj armët sjellin si pasojë në vend sëpaku 5-10 viktima pa llogaritur të plagosurit apo kërcënimet për jetën.
Ishte gjykata e Apelit në Vlorë ajo që i kërkoi gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë pikërisht nenet e miratuara nga parlamenti që rrisnin marzhet e dënimit.