Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Po shkonin si çdo ditë në punë, drejt hidrocentralit të Komanit, por mëngjësi i së mërkurës (8 gusht) për pak nuk u kthye në tragjedi për Klajdi Shehun, Ilir Shpendin dhe Arment Lalollarin.
Tre punonjësit e hidrocentralit që vinin nga Tirana, përfunduan në një humnerë me mjetin me të cilin po udhëtonin.
Pak kilometra pa mbërritur në vendin e punës, gjatë hyrjes në një nga kthesat e shumta që ka kjo rrugë, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe për pasojë përfundoj disa metra poshtë rrugës, ku nga rrokullisjet e shumta, ata morën plagë të forta në kokë dhe trup.
Tre të dëmtuarit për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u dërguan me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Gjendja e tyre sipas mjekëve vlerësohet e rëndë, pasi frakturat e shkaktuara në disa pjesë të trupit janë të shumta.
Grupi hetimor që mbërriti në vendngjarje nisi hetimet për shkaqet e këtij aksidenti.
Kthesa
Ata rindërtuan skemën e plotë dhe burimet i thanë Ora News, se dyshohet që mjeti kur ka hyrë në kthesë ka qënë duke lëvizur me shpejtësi dhe kjo ka ndikuar që të humbë kontrollin.
"Nga veprimet e para dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin për shkak të një kthese të fortë" informoi dhe policia e Shkodrës.
Gjithashtu rruga e amortizuar nuk ka lejuar manovrimet dhe për pasojë ata kanë përfunduar në humnerë. Por një tjetër pistë është edhe ajo e ndonjë defekti që mund të ketë pësuar makina, gjë që do të dalë në përfundim të ekspertizës.
Rruga Shkoder ? Koman në vite ka shkaktuar aksidente të shumta, e shpesh me pasoja fatale për jetën. Në 55 kilometrat e saj kjo rrugë në të cilën nuk është ndërhyrë prej periudhës së komunizmit, është tejet e amortizuar, me kthesa të rrezikshme që nuk kanë asnjë mbrojtëse anësore dhe pa sinjalistike.
Megjithëse çdo ditë në të kalojnë punonjësit e hidrocentralit dhe banorë të zonës, e turistë të shumtë, vemendja që ka patur shteti për këtë rrugë nuk ka nevojë për shumë komente.
Në 23 korrik të 2016-es, në këtë rrugë një 23 vjeçar përfundoj në humnerë me mjetin e tij dhe mbeti i plagosur.
Në 23 nëntor 2014, po një tjetër aksident në këtë rrugë i mori jetën 3 shtetasve dhe 1 tjetër mbeti i plagosur. Pa përmendur me dhjetra të tjerë të ndodhur ndër vite. Pyetja që lind natyrshëm, është se edhe sa aksidente duhet të ndodhin në këtë rrugë që shteti të marrë masa?
Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/rruga-e-komanit-makina-me-tre-persona-ne-bord-bie-ne-gremine