Siparin e seancave të vettingut më 4 Maj 2018 e hapi gjyqtarja kushtetuese Vitore Tusha, ajo kaloi sitën e vettingut ndërsa 6 gushti shënoi dhe seancën e fundit me prokurorin Arben Dollapajn.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nga Maji deri më 6 Gusht kaloi në sitë 61 subjekte mes tyre gjyqtarë e prokurorë, nga të cilët 27 u konfirmuan në detyrë, 21 u shkarkuan dhe për 13 u ndërpre vettingu për shkak të dorëheqjeve nga sistemi.
Burime nga KPK bënë me dije për ReportTv se seancat dëgjimore do të rikthehen nga 3 shtatori 2018 e deri atëherë do të funksionojë vetëm administrata e vettingut.
Përsa i përket komisionerëve ata do të bëjnë një leje dy javore sipas Kodit të Punës dhe më 28 gusht ata do të rikthehen në detyrë për të rinisur seancat në fillim shtatori.
Në sitën e vettingut pritet të kalojnë 880 subjekte mes tyre gjyqtarë, prokurorë dhe ndihmës ligjorë ndërsa ky proces do të zgjas 5 vite.
Për shkak të vettingut aktualisht është jashtë funksionit gjykata kushtetuese dhe ajo e lartë pasi më shumë se gjysma e gjyqtarëve u shkarkuan për mosjutifikim pasurie dhe kontakte me botën e krimit.