VLORE - Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme rreth orës 22:20 pranë Universitetit "Ismail Qemali" në lagjen "Skelë" të qytetit të Vlorës. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton se ngjarja ka ndodhur në një prej zonave më të frekuentuara, duke shkaktuar panik te pushuesit e shumtë në qytetin bregdetar. Zona e Skelës dhe pjesa përgjatë Lungomares dominohet nga pushuesit vendas dhe të huaj, veçanërisht orëve të mbrëmjes të cilët e shfrytëzojnë atë për shëtitje.
Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka pasur persona të lënduar. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën ku u regjistruan të shtënat. Blutë kanë krijuar perimetrin e sigurisë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoje arme zjarri tip pistoletë. Identifikohen autorët, shpallen në kërkim
Burime për Report Tv thanë se janë identifikuar autorët e të shtënave. Policia vijon krehjen e zonës për arrestimin e tyre. Nuk dihen ende motivet e kësaj ngjarje, ndërkohë që vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave.