Tiranë-Prokurori i Apelit në Shkodër, Arben Dollapaj, ka kaluar me sukses procesin e Vettingut. Në seancën e sotme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka dhënë vendimin për Dollapajn, për të cilin ka vendosur konfirmimin në detyrë. Prokurori Arben Dollapaj ishte i pranishëm vetë në seancën e dhënies së vendimit. Trupa gjykuese e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi, Olsi Komici, vendosi konfirmimin e tij, ndërkohë që në seancën dëgjimore të zhvilluar më 3 gusht, rezultoi nga hetimet e KPK-së dhe raportet e ILDKPI-së, prokurori Dollapaj është i pastër.
Sipas hetimeve Dollapaj kishte si pasuri një apartament me sipërfaqe 76 metër katrorë në Bajram Curri, një shtëpi me sipërfaqe 113 m katrorë në Selitë të vogël, një shtëpi banimi në ndërtim e sipër në Valbonë dhe dy llogari bankare.
DSIK kreu gjithashtu verifikime për Dollapajn dhe doli në përfundimin se është i përshtatshëm për të ushtruar detyrën. Dollapaj ka patur përplasje me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, kur ishte drejtor në Drejtorinë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme. Dollapaj u transferua në Shkodër pas këtyre diskutimeve, ku nuk munguan akuzat ndaj Llallës që sipas tij ishte hakmarrë personalisht.