KORÇE- Helikopteri i kompanisë private "Shega Air" që do merrte një nuse pëson defekt në Korçë bën ulje emergjente në mes të një blloku me pallate, pranë vendit të quajtur "Kryqëzimi i Ersekës" . Në momentin e incidentit, në bordin e helikopterit model "Agusta A 109 A" ka qenë piloti Altin Lama dhe dhëndri Gani Haxhija i cili këtë diel martohej me Dritjola Karadaku. Report Tv ka siguruar pamjet ekskluzive pak çaste pas momentit të incidentit ku siç shihni helikat e helikopterit civil të kompanisë "Shega-Air" janë ende në lëvizje. Nga pamjet duket dëmtimi në rrota si dhe te pjesa e bishtit.
Ngjarja është shënuar pranë Unazës së Qytetit të Korçës rreth orës 10:30 në një lulishte pranë blloqeve të banimit. Pranë vendit të ngjarjes ndodhet edhe një pikë karburanti, çka mund të rezultonte me pasoja të rënda nëse avaria do shkaktonte pamundësimin e uljes së helikopterit në sheshin e vogël të lulishtes. Fatmirësisht nuk ka të lënduar ndërsa Report Tv ka mësuar se helikopteri i "Shega Air" ishte kontraktuar për marrjen e një nuseje. Helikopteri është një model "Agusta A 109 A" me kapacitet nga 6 deri në 8 persona, dhe kryen fluturime në distance të ndryshme në distance edhe të largëta.
Shkak për ngjarjen mund të ketë qenë manovra e gabuar e pilotit që drejtonte helikopterin. Ndërsa në një prononcim për Report Tv, piloti Altin Lama u shpreh se helikopteri kishte pësuar defekt në motor gjatë fluturimit në ajër dhe ulja pranë Unazës së Korçës, ndërmjet një blloku banimi, ishte e detyrueshme.