Ora News - Pezullohen 13 patenta në një ditë

2018-08-05 0

Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Edhe pse një ditë më parë shefat e policisë rrugore në të gjitha qarqet apeluan njëzëri për zbatimin e rregullave të qarkullimit, përsëri drejtuesit e mjeteve kapen me shkelje në autostradën Tiranë-Durrës.

Policia e Shtetit njoftoi se prej orës 22.00 të mbrëmjes së 4 gushtit deri në orën 02.00 të mëngjesit të së dielës, janë pezulluar 13 Leje Drejtimi për shpejtësi që varionin nga 138 kilometër në orë deri në 166 kilometër në orë, ku në tri raste kjo kundravajtje është shoqëruar edhe me konsumim të alkoolit.

Në kuadër të masave shtesë gjatë fundjavës, Policia Rrugore ka kryer kontrolle me Radar e Drager duke konstatuar se njëri prej drejtuesve të mjeteve po ecte me shpejtësi 166 km/h ndërsa testi i alkolit i ka rezultuar 22 mg për litër.

Kundravajtësi është ndaluar e ndëshkuar, ndërsa në faqen e policisë së shtetit thuhet se 'Në këtë rast shpëtimtari i jetës ishte Polici e Radari'.

Drejtuesi i mjetit është ndëshkuar me heqjen e patentës për këtë kundravajtje por policia thekson se përdorimi i alkoolit në këtë nivel, shoqëruar me tejkalimin e shpejtësisë, mund të kishte sjellë pasoja fatale në rrugë.

Policia e shtetit apelon edhe një herë ndaj drejtuesve të mjeteve që të respektojnë nivelin e shpejtësisë duke pohuar se radarët janë të vendosur në rrugë për të dokumentuar çdo rast të thyerjes së rregullave të kodit rrugor.

Një ditë më parë policia publikoi një video të regjistruar në zonën e laprakës, ku në vetëm një një orë monitorim, 16 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për kalim me semafor të kuq, një nga kundravajtjet më të rënda e të rrezikshme në Kodin Rrugor.
Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/pezullohen-13-patenta-ne-nje-dite