Shkodër, ministrja Gjonaj dhe Vlahutin inagurojnë burgun e Reçit, investim 14.3 milionë euro nga BE

2018-08-02 2

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ambasadorja e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin, kanë inaguruar burgun e Reçit, në të cilin janë investuar 14.3 milion euro nga Bashkimi Europian.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në fjalën e saj theksoi se hapja e këtij institucioni do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në uljen e fenomenit të mbipopullimit në sistemin e burgjeve, çka është aktualisht një nga problematikat më të mprehta në sistemin penitenciar.

Sipas ministres Gjonaj përmirësimi i infrastrukturës është një shtyllat kryesore të reformës në burgje dhe për këtë arsye Qeveria ka rritur me 10% nivelin e investimeve që do të realizohen gjatë vitit 2018, duke e çuar kështu në 470 milionë lekë buxhetin e investimeve.

Duke folur për reformën në sistemin penitenciar Ministrja e Drejtësisë u shpreh:

Reforma në sistemin penitenciar, si pjesë e rëndësishme e reformës së madhe në drejtësi që ne kemi ndërmarrë me shume sukses është në drejtimin e duhur. Synimi është krijimi i një sistemi penitenciar të sigurt, profesional, larg ndikimeve politike, në respekt të të drejtave të njeriut dhe sigurisht që t?i përshtatet kërkesave të kohës për të qenë në lartësinë e duhur për rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve në shoqëri.

Etilda Gjonaj
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i reformës në të cilin është ndalur ministrja Gjonaj janë edhe masat antikorrupsion brenda sistemit të burgjeve. Sipas saj një numër i lartë punonjësish të policisë së burgjeve janë kallzuar penalisht në rastet kur janë adresuar raste të ankesave për korrupsion ashtu si dhe në rastet e hetimeve proaktive për mitmarrje dhe favorizim të të burgosurve.