BSH do të vijojë blerjen e valutës në treg/ Sejko: Leku i fortë nga sezoni

2018-08-01 0

TIRANE-Gent Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë do të vijojë që të blejë sërish euro në tregun valutor për të penguar zhvleftësimin e mëtejshëm të monedhës evropiane. Guvernatori i BSH, Sejko në konferencën për mediat theksoi se Këshilli Mbikëqyrës vendosi që të vijojë blerja e euros për shkak të prurjeve nga turizmi. Ai tha se masat e fundit të politikës monetare dhe ndërhyrja në tregun e brendshëm valutor kanë rezultuar efektive, por oferta për valutë vijon të jetë e lartë tani edhe për shkak të faktorëve sezonalë.

Pas mbiçmimit të shpejtë të regjistruar në muajt prill-maj, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë arriti të qetësojë funksionimin e tregut të brendshëm valutor dhe të frenojë mbiçmimin e kursit të këmbimit. Megjithatë, analizat tona sugjerojnë se raporti i kërkesës dhe ofertës në tregun valutor mbetet i zhbalancuar, pjesërisht dhe si pasojë e prurjeve të larta sezonale, dhe se mbiçmimi i shpejtë dhe i mëtejshëm i kursit të këmbimit do të dëmtonte kthimin e inflacionit në objektiv në afatin e mesëm. Duke gjykuar mbi sa më sipër, Banka e Shqipërisë vendosi të vijojë programin e blerjeve në tregun valutor, me synim frenimin e mbiçmimit të shpejtë të kursit të këmbimit.