Një vit më parë, blloku i banimit në zonën e Doganës i ngjante një zone lufte, ku kalimi në dimër ishte tejet i vështirë prej baltës dhe gropave të shumta. Por sot, banorët e kësaj lagjeje të re të kryeqytetit, kanë një bllok të transformuar, me rrugë të rregulluara dhe hapësira të mjaftueshme, njësoj si në qendër të qytetit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, inspektoi përfundimin e punimeve për rikualifikimin e bllokut të banimit tek Dogana, ku janë rehabilituar 35 segmente rrugore, duke përfshirë ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore dhe shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellës kanalizimeve.
Jam shumë i lumtur që kthehemi pas një viti dhe në dallim nga hera e parë, me çizme e kambale, sot jemi në një situatë si dita me natën. Jo vetëm që infrastruktura këtu ishte e ngjashme me Kandaharin, por krijohej trafik, pluhur, baltë e llucë. Ndërkohë sot, jo vetëm që s?ka trafik sepse secili mbaron punë shpejt në rrugicën përkatëse, por kemi transformuar një bllok me 35 rrugë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj
Ai theksoi se tashmë është koha që edhe ata që kishin në dorë të bënin diçka për Tiranën dhe nuk e bënë, të bashkëpunojnë përtej bindjeve politike, për vendime të rëndësishme për qytetin.
Unë e kuptoj se jo të gjithë punojmë me të njëjtën dëshirë dhe dashuri për qytetin. Ka disa që nuk u vjen mirë pse qytetit po i shkojnë punët mbarë, megjithatë them se është mirë edhe për ata. Një qytet që funksionon, një qytet që është i pastër, një qytet ku njerëzit e duan njëri-tjetrin, është mirë edhe për ata. Edhe për ata që e kishin në dorë dhe mund ta kishin ndryshuar Tiranën, por humbën një shans për ta bërë dhe do të duhet që tani të bashkëpunojmë të gjithë, përtej të majtës dhe të djathtës, për vendime të rëndësishme për qytetin.