Medi Bici është anëtari i fundit i Gjykatës së Lartë që do të përballet me procesin e Vettingut.
Në seancën dëgjimore të zhvilluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Bici ka zgjedhur të jetë prezent duke mos u përfaqësuar nga një avokat. Trupi gjykues drejtohet nga Xhensila Pine dhe anëtaret Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari. Vendimi për të do të merret në datë 31 korrik në orën 14:45.
Problem për Bicin është pasuria fillestare e tij, ku për secilën prej aseteve ai deklaron si burim të ardhurat nga puna dhe ndihma e vëllezërve emigrantë në Itali, pa specifikuar kontributin e secilit prej tyre.
Sipas raportit të ILDKP-së, Bici rezulton me pasaktësi, deklarim të rremë, fshehje dhe mosjustifikim pasurie.
Bici është mbrojtur duke u shprehur se të gjitha provat e duhura i ka paraqitur të plota, të noterizuara dhe me vulë apustile, kështu që sipas tij, ILDKP përpara se të arrinte në përfundime duhet ta thërriste për të dhënë shpjegime pasi ai ka siguruar edhe 11 prova të reja.