PD denoncon Komisionerin e Vetting-ut

2018-07-30 0

Në vazhdën e akuzave për standarde të dyfishta në procesin e Vetting-ut, Partia Demokratike publikoi dokumente që sipas saj vërtetojnë se anëtari i Komisionerin e Pavarur të Kualifikimit, Lulzim Hamitaj ka falsifikuar dëshminë e gjuhës angleze. Sipas demokratëve, Hamitaj gjatë aplikimit për pedagog në Universitetin e Tiranës në vitin 2016 kishte deklaruar nivelin fillestar B1 të gjuhës angleze, ndërsa në 2017 gjatë aplikimit në pozicionin e Komisionerit të Vetting-ut ka paraqitur si dëshmi një certifikatë të marrë në 2015, ku thuhet se zotëron nivelin më të përparuar të anglishtes.

?Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS, rezulton se shtetasi Lulzim Hamitaj, në datën 6 Prill 2015, ku pretendon se ka dhënë provimin dhe është pajisur me certifikatë të zotërimit të gjuhës angleze, nuk ka qenë në Shqipëri! ai ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë në datën 28 Mars 2015 ora 11:10 min dhe ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë në datën 23 Korrik 2015 në orën 07:08 min.?

Këto shkelje, sipas opozitës, janë të mjaftueshme për shkarkimin e menjëhershëm të Hamitajt nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

?Partia Demokratike i kërkon publikisht Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të fillojnë procedurat disiplinore për shkarkimin e tij të menjëhershëm nga detyra.  i kërkon publikisht organit të prokurorisë që të nisë menjëherë procedim penal ndaj Komisionerit të Vetting-ut Lulzim Hamitaj për falsifikimin dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, të cilat i ka depozituar pranë organeve shtetërore dhe për të cilën Kodi Penal parashikon dënim deri në 4 vjet burgim.?

Partia Demokratike ka denoncuar organet e Vetting-ut se po aplikojnë standarde të dyfishta në procesin e Vetting-ut, duke konfirmuar në detyrë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar.