Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra dy gjyqtarë, Shkëlzen Selimin dhe Bledar Abdullain. Komisioni e nisi punën me dhënien e vendimit për gjyqtarin e Tiranës, Bledar Abdullai, i cili u shkarkua nga detyra, pasi bashkëjetuesja nuk justifikon 400 mijë euro. Ndërsa i dyti që u shkarkua sot ishte gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi. Gjatë seancës dëgjimore KPK tha se Selimi u vlerësua vetëm për pastërtinë e figurës dhe jo për pasurinë apo aftësitë profesionale. Sipas KPK Selimi kishte dy kontakte të papërshtatshme të cilat me sa duket i kushtuan detyrën si anëtar i Gjykatës së Lartë. Vetë gjyqtari e quajti procesin të manipuluar e të paragjykuar që në fillim dhe u largua nga seanca dëgjimore. Selimi nuk mori pjesë as në seancën e sotme të vendimmarrjes.
Pas shkarkimit të Selimit, duket se edhe Gjykata e Lartë do të pësojë fatin e Kushtetueses, e cila u bllokua prej Vettingut. Deri më tani nga Gjykata e Lartë nga nëntë anëtarë (përfshirë edhe kryetarin Zaganjori), sitën e Vettingut e kanë vetëm katër prej tyre. Në pritje mbetet vendimi për gjyqtarin Medi Bici, i cili ditën e sotme zhvillon seancën dëgjimore.
Sot është një ditë e ngjeshur për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pasi janë planifikuar që të zhvillohen disa seanca. Në orën 10:00 do të zhvillohet seanca dëgjimore për Medi Bicin, gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë. Në orën 12:00 do të zhvillohet seanca dëgjimore me Gentjan Medjan, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative Shkalla e Parë Tiranë. Në orën 14:30 është parashikuar seanca dëgjimore me Besnik Muçin, prokuror pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda. Dhe në fund në orën 16:00 është seanca dëgjimore me Brunilda Kadin, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.