Një tjetër bllok banimi në zonën e njohur si ish-NSHRAK-u në Tiranë mori një pamje të re, ku veç rrugëve, trotuareve të reja dhe vendeve të parkimit, i janë shtuar hapësirat e gjelbra, këndet çlodhëse dhe argëtuese për fëmijët dhe të rriturit. Në mbyllje të punimeve në bllokun e Rr. ?Sali Butka?, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi dhe deputeti i PS, Besnik Baraj, theksoi se ajo që e çon përpara qytetin është ndryshimi dhe modernizimi.
?Gjërat ndryshojnë se preken. Në një qytet filozofia nuk mund të jetë mos ma prek atë, mos ma prek këtë, por vër dorë, ndryshoje, rregulloje, modernizoje; kjo e çon para qytetin. E njëjta gjë edhe me historinë e teatrit. E dini pse thonë: mos ma prek? Sepse e dinë që po e prekëm ajo do dalë një vepër e mrekullueshme. E dinë se po vumë dorë, ajo do dalë një xhevahir. E dinë se po filluam ndërtimin e teatrit të ri, do të jemi të pandalshëm në modernizimin e Tiranës. Kjo është arsyeja e vërtetë. I tremben sepse çdo gjë që prekim me dorë, del më mirë.
Mbaj mend kur filluam projektin te Liqeni, atëherë thoshin mos i prek romët se janë nga një komunitet i vyer. Unë nuk besoj se ka bashki që ka bërë më shumë për strehimin e romëve. I keni parë shtëpitë e reja nga Bregu i Lumit në Lanabregas, nga Lana në Shkozë, si çdo njeri normal? Këta që thoshin mos ma prek komunitetin, sot komuniteti rom është më mirë, pikërisht pse prekëm atë pjesë të djegur të parkut, që sot është kthyer në një pyll të jashtëzakonshëm te liqeni?, tha ai.
Veliaj nënvizoi se edhe me Bulevardin e Ri, pavarësisht se në fillim pati një ngurim, sot Tirana ka një hapësirë ku qyteti mund të zhvillohet për 50 vitet e ardhshme. ?Nuk e di sa prej jush e kanë parë Bulevardin e Ri, se çfarë mrekullie është bërë aty. Në fillim edhe aty thoshin mos ma prek! Po pse? Ke ndërtuar pa leje aty ku do të kalojë Tirana e brezit të fëmijëve të sotëm. Tirana ka nevojë të rritet, se kur ata të bëhen mosha jonë do martohen, do krijojnë familje. Por, pikërisht se e prekëm atë pjesë të qytetit kemi sot për Tiranën një hapësirë të 50 viteve të ardhshme?, tha kreu i bashkisë.