Ndërhyrja në aksin Gjirokastër-Kakavijë, ARRSH: Po shmangim përmbytjet në dimër

2018-07-28 0

Ndërhyrja për rehabilitimin e një segmenti në aksin Gjirokastër-Kakavijë ka shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve në këtë aks. Ndërhyrja për ndërtimin e një ure në këtë rrugë u bë pasi gjatë dimrit për shkak të reshjeve kjo rrugë përmbytej. Por për qytetarët dhe shoferët që kalojnë në këtë rrugë kjo ndërhyrje ka shkaktuar problem në qarkullim ndërsa e cilësojnë të papërshtatshme ndërhyrjen në këtë periudhë kur është edhe piku i kthimit të emigrantëve nga Greqia apo i qarkullimit të pushuesve.

Por për të sqaruar të gjithë këtë situate, Report Tv ka zhvilluar një lidhje telefonike me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro. Qendro ka thënë se nuk bëhet fjalë për trafik por për ngadalësim të qarkullimit në këtë aks. Sipas Qendros, zona ku ngadalësohet lëvizja është më pak se 1 kilometër. Qendro ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve që lëvizin në këtë rrugë, dhe ka shtuar se kjo ndërhyrje po bëhet për të shmangur përmbytjet në këtë rrugë.