Prej muajit mars që filloi funksionimin vettingu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar shumë prokurorë dhe gjyqtarë, pasi kanë rezultuar me shkelje të ndryshe. Dy ditë më parë, gazetari Carlo Bollino përmes një analize shkruante se duhet ligj special për rigjykimet e vendimeve të të korruptuarve.
Ai ngrinte pyetjet se; Si duhet të konsiderohen vendimet e marra në vitet e kaosit nga gjyqtarët, të cilët tani rezultojnë të korruptuar? Dhe si mund të konsiderohet i drejtë një vendim i dhënë nga një gjyqtar, i cili, më pas, ka dalë se ishte aq i korruptuar, saqë nuk mund të jetë më gjyqtar?
Për të diskutuar për këtë çështje, i ftuar në studion e REPORT TV ditën e sotme ishte konstitucionalisti Çlirim Gjata. Si njohës i mirë i ligjeve, ai u shpreh se kjo është një temë shumë delikate, por që duhet të debatohet. Ai thotë se të korruptuar nuk të shpall vettingu me vendimin e përjashtimit, por vetëm gjykata. Sipas tij rishikimi i të gjithave vendimeve është i pamundur që të bëhet, por ideja qëndron nëse përcaktohet një kategori.