Emergjencë në Bibliotekën Kombëtare - News, Lajme - Vizion Plus

2018-07-24 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Përmbytja e Bibliotekës Kombëtare një muaj më parë, që shkaktoi dëmtimin e rreth 12 mijë librave, u shkaktua nga ujerat nëntokësorë dhe degradimi i ndërtesës.



Në këtë konkluzion ka dalë Instituti i Ndërtimit, i cili zhvilloi një hetim të plotë mbi ngjarjen.



Në raportin që  Vizion Plus disponon, thuhet se ujërave nëntokësore shpërthyen në katin e poshtëm, pasi objekti në themelet e tij dhe në dysheme ka dëmtime që duke lejuar depërtimin e tij.



Sasia e ujit në bodrumin arriti lartësinë 2 deri në 3 cm, që u largua pas përfundimit të reshjeve.



Por ekspertët vërejnë se gjendja aktuale e ndërtesës dhe sistemeve mekanike është e rëndë. Biblioteka Kombëtare, sipas raportit, nuk i plotëson kushtet dhe standardet për të qenë e tillë, pasi mungojnë hapësirat për shërbimet që duhet të ofrojë një institucion i tillë.



Impiantet e mbrojtjes ndaj zjarrit, impianti i furnizimit me ujë të ftohtë dhe të ngrohtë, ai i shkarkimit të ujërave të zeza dhe të shiut si dhe impianti i ajrit të kondicionuar, rezultojnë me probleme të theksuara teknike dhe të pa përshtatshme për kushtet që duhet të ketë Biblioteka Kombëtare.



Gjendja paraqitet edhe më keq për instalimet elektrike dhe sistemet e sigurisë, për të cilat thuhet se janë jashtë çdo standardi për aplikimin e tyre në një godinë të kategorisë së veçantë.



Ato sipas ekspertëve nuk ofrojnë garanci dhe siguri për funksionimin e tyre.



Objekti po ashtu ka një amortizim të tejskajshëm, ndërsa kërkohet ndërhyrja e menjëhershme, pasi nuk plotëson standardet.



Instituti i Ndërtimit kërkon që të merren masa të menjëhershme për të larguar materialet në soletat mes kateve, të bëhen provat laboratorike për strukturat e Bibliotekës, e po ashtu të realizohen hidroizolimet e nevojshme.



Por një ndërhyrje finale për Bibliotekën Kombëtare, sipas drejtuesve të Institutit të Ndërtimit, kërkon edhe ekspertizën e organeve të tjera.