Miratohet në Kuvend ndryshimi i ligjit për dhunën, Manastirliu: Hapi i duhur

2018-07-23 0

Është miratuar sot në kuvend projektligji për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare. Propozimet për ndryshimin e ligjit që u miratua sot kanë kaluar përmes një procesi gjithpërfshirës, duke u prezantuar në tryeza konsultimi me të gjithë aktorët përgjegjës. Duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të këtij ligji, ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi nga foltorja e Kuvendit se do të garantohet mbrojtje më e mirë, sidomos për kategoritë vulnerabël.


Zbatimi i ligjit të përmirësuar do të ketë efekte të menjëherëshme në parandalimin dhe reduktimin e rasteve të dhunës në familje, në të gjitha format e saj, duke garantuar dhe masa të tjera të nevojshme për anëtarët e tjerë të familjes të cilët janë viktima të dhunës, me vëmendje të veçantë te gratë, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar.

Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu
Ligji i ri zgjeron mbrojtjen për gratë dhe vajzat që janë viktima të dhunës. Ndër risitë e tjera që parashikon ligji për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare është edhe përmirësimi i masave mbrojtëse për fëmijët, pasi, me urdhrin e mbrojtjes për nënën, automatikisht do të garantohet urdhri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë. Gjithashtu ky ligj përcakton afate të qarta proceduriale për regjistrimin e kërkesës të urdhërit të mbrojtjes dhe urdhërit të menjëherëshëm të mbrojtjes si dhe për ankimet ndaj vendimeve gjyqësore, duke eleminuar zvarritjet e proceseve gjyqësore dhe duke siguruar më shumë mbrojtje për viktimat e dhunës.