Dëme të mëdha materiale janë shkaktuar nga shiu që ra mesditën e sotme në fshatin Goskovë të njësisë administrative Voskop të Korçës. Stuhia e shiut, mjaftoi që brenda 30 minutave të kthente makina përmbys, përmbyti një biznes privat si dhe rrëzoi pemë e mbuloi rrugët nga balta.
Report Tv ka siguruar pamje ekskluzive nga dalja nga shtrati e përroit. Banorët thonë se nuk kishin parë kurrë një tërbim të tillë nga ky përrua që kalon ngjitur me fshatin. Leonard Ymeri, pronar i një servisi është më i dëmtuari nga kjo përmbytje. Ai thotë se ka pësuar një dëm prej 2 mln lekë të reja.
Moti është normalizuar tashmë, ndërsa banorët janë përpjekur të rregullojnë atë çfarë ka lënë pas shiu.