‘Të papërshtatshëm, fshehën pasurinë’/ Gjyqtarët Dvorani dhe Faqolli drejt shkarkimit nga Vettingu

2018-07-23 3

Gjykatësi i Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli është drejt shkarkimit pasi në seancën dëgjimore KPK ka bërë me dije se gjyqtari nuk ka deklaruar 2 llogari bankare të bashkëshortes, ka shkelur ligjin duke e plotësuar deklarimin e tij me lekë të vjetra dhe është shpallur i papërshtatshëm nga DSIK.

Në seancën e sotme, gjykatësi ka qënë i pranishëm në seancë, i shoqëruar nga avokati i tij, Julian Mertiri, ndërsa sipas raportit të ILDKPI, gjyqtari ka një deklarim të saktë të ardhurash.

Faqolli ka deklaruar se në 2011, ka shpenzuar 3 milion lekë për ndërtimin e një prone por sipas KPK kjo shumë nuk përputhet me atë të faturave. Gjithashtu Faqolli rezulton me hua të marrë nga shtetasi I.Rr është 1 milion lekë. Gjyqtari deklaron një apartament 83.8 m2 në rrugën Ali Demi në Tiranë por edhe për këtë ka mospërputhje me deklarimin e 2006 .

Në 2006 është shprehur se ka marrë hua tek kunati, hua të cilën nuk e ka deklaruar pasi e kishte shlyer tanimë.

Për dy huat e marra, sipas deklarimeve rezulton se gjyqtari nuk ka pasur mundësi t?i këtë shlyer. Në pasurinë e tij, Faqolli numëron edhe një makinë tip Benz, vlera e të cilit i kap 5 mijë eurot, por blerja e mjetit justifikohet nga KPK.

Gjithashtu ndaj Faqollit ka patur 7 ankesa por pas hetimeve s?ka rezultuar asnjë shkelje.

Pas seancës dëgjimore të Astrit Faqollit, edhe për gjykatësin Ardian Dvorani pritet një shkarkim i mundshëm pasi nuk ka bërë një deklarim të saktë të pasurisë duke mos deklaruar 9 milion e 900 mijë lekë.

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ardian Dvorani sipas raportit të ILDKPI nuk ka bërë një deklarim të saktë duke mosdeklaruar nëse ka apo jo burime të mjaftueshme për pasurinë e tij.

Në pasurinë e Dvoranit, numërohet një apartament me sipërfaqe 120 m2 në pronësi të dy bashkëshortëve blerë nga Albtelecom sha dhe dy apartamente të privatizuar më 1993 dhe 1995 me sipërfaqe respektivisht 103 m2 dhe 76.8 m2; një makinë Skoda Otavia, blerë më 2016.

Gjyqtari ka deklaruar gjithashtu edhe një hua të dhënë nga prindërit për shlyrjen e apartamentit që ka në pronësi me gruan, ndërsa nuk ka deklaruar 9 milion e 900 mijë lekë nga ana e tij.

Sipas KPK, ai nuk ka bërë fshehje llogarish apo të ardhurash por ka një deklarim të pasaktë për llogaritë bankare të tijat dhe të personave të lidhur me të.

Dvorani vetë është shprehur se mosdeklarimi ka ndodhur për shkak të ngarkesës së punës duke fajësuar edhe ILDKPI-në, e cila sipas tij nuk e kishte ftuar për të verifikuar pretendimet.

Kurrë s'kam mbajtur para poshtë dyshekut por i kam deklaruar gjithmonë në banka. Nuk ndjehem krenar se kam plotësuar gabim deklaratën e pasurisë. Por kjo s?ka pasur për qëllim të fshehë ndonjë gjë. Ka qënë thjesht pakujdesi për shkak të ngarkesës së punës. ILDKPI-ja smë ka thirrur kurrë për të verifikuar çfarë pretendon ndaj meje.

Ardian Dvorani