Ora News - Magjistratura, PS i drejtohet opozitës: Dialog me kushte harrojeni!

2018-07-23 1

Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja deklaron "nuk ka kthim prapa" dhe "dialog me kushte për të zhbërë vetingun harrojeni"

"Ne nuk i kemi 84 vota por nuk na pengon aspak ta shohim njëri tjetrin në sy në sallën e parlamentit e të komunikojmë drejtëpërdrejtë për të thënë disa të vërteta lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi, sepse kam përshtypjen se procesi i reformës në drejtësi nuk është kuptuar si duhet nga opozita dhe po spekullohet në një lojë të pastër politike. " u shpreh Manja në një prononcim për median jashtë sallës së Kuvendit.

"Nuk ka kolapsim të sistemit të drejtësisë, por kolapsim të opozitës e cila që nga dita e parë e të nesërmës që ka dhënë votën për ndryshimet kushtetuese është bërë pishman për të gjithë dinamikën e reformës. Ne po presim me qetësi që opozita të reflektojë për ta dhënë votën për shkollën e magjistraturës sepse nëse nuk e jep votën për shkollën e magjistraturës, ne do të presim me qetësi ngritjen e këshillave të reja që ka paracaktuar Kushtetuta dhe ligji.

Por do të jetë shumë vonë për opozitën sepse në momentin që sistemi i drejtësisë, organet e reja të drejtësisë, do të ngrihen dhe funksionojnë, po ju them se konsensusi i vapës së korrikut 2016 do t'ju duket dimër. Reforma në sistemin e drejtësisë është projekt madhor i shqiptarëve. Nuk është shantazh. Duhet të jemi të qartë, o jemi në krahun e reformës dhe vettingut, ose kundër reformës. Rrugë të mesme nuk ka".

Manja thotë se pr/ligji për disa ndryshime lidhur me statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, i njohur dhe si ligji për magjistraturën "është shumë i rëndësishëm i karakterit tërësisht juridik dhe nuk ka asnjë qëllim politik."

"Është votuar një herë me 84 vota dhe aktualisht duke qenë se dy organet e reja të drejtësisë, KLD dhe KLP janë në krijim e sipër si dy organe të ngarkuara nga Kushtetuta për të bërë emërimin e magjistratëve të rinj dhe përcaktuar kuotat propozimi ynë synon që ta bëjë direkt ligji në një dispozitë tranzitore. Po spekullohet politikisht u shpreh Manja.

Lëvizja Socialiste për Integrim përmes nenkryetarit Luan Rama kërkoi paraditen e sotme dialog mes aktorëve parlamentarë për ti dhënë zgjidhje reformës në drejtësi, duke propozuar një tryezë tre palëshe.

Nga ana tjetër Partia Demokratike nuk ishte e pranishme në seancë dhe PD njoftoi se në selinë e kësaj partie po mbahet mbledhja e grupit parlamentar. Pas kësaj pritet që kryetari Basha të ketë një deklaratë.

Pjesë nga prononcimi për mediat i kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja

Manja: Dialog me kushte për tu rikthyer në korrikun e 2016 për të zhbërë reformën në drejtësi dhe vettingun, nuk ka ka, harrojeni se nuk ka.
Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/magjistratura-ps-i-drejtohet-opozites-dialog-me-kushte-harrojeni