Report Tv - U fut për të shpëtuar të fejuarën, mbytet 30-vjeçari në plazhin e Velipojës

2018-07-22 0

E diel tragjike për një pushues 30-vjeçar i cili është mbytur mesditën e sotme në plazhin e Velipojës. Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së quajtur Vilun. Viktima është Ervid Palaj nga fshati Dajç i Shkodrës, i cili ishte duke pushuar bashkë me të fejuarën.

Report Tv ka mësuar se ka qenë kjo e fundit e cila është futur në ujë dhe rrezikonte të mbytej nga dallgët të forta. Palaj ka nxituar për t'i ardhur në ndihmë, por në luftë me dallgët dhe detin e trazuar ai është mbytur vetë. Edhe pse është tentuar t'i jepet ndihma e parë nga pushuesit e tjerë, 30-vjeçari nuk mundur të mbijetojë.

Mësohet se partnerja është shpëtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa fati është treguar i pamëshirshëm për të fejuarin e saj, Ervid Palaj i cili bëhet kështu viktima e tretë që humb jetën në plazhin e Velipojës dhe i 10-it në të gjitha plazhet e vendit. Pavarësisht masave të marra nga autoritetet, plazhet shqiptare vijojnë të prodhojnë viktima në radhët e pushuesve çdo sezon turistik si rrjedhojë e mungesës së sigurisë.