Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi i bën thirrje opozitës që të hënën, në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar, të vijë e të votojë dy vendime të rëndësishme: ligjin për Magjistraturën dhe Kodin Rrugor.
Hysi thotë se opozita duhet të tregojë përgjegjshmëri me ligjin për magjistratët, duke ndihmuar që gjykatat të mos zhyten më tej në kolaps për shkak të spastrimeve që po bën vettingu.
Vettingu po ecën dhe po ecën shpejt. Brenda korrikut do të kemi rezultate shumë më të mëdha. Nga ana tjetër kemi një grup studentësh të shkëlqyer që dëshirojnë të fillojnë magjistraturën. E dyta, kemi një grup tjetër magjistratësh që presin të fillojnë të punësohen. Nëse ne themi që ne nuk duhet të bllokojmë, ta çojmë sistemin në kolaps, ne duhet të kontribuojmë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm. Ne duhet tu japim mundësinë të punësohen këtyre magjistratëve ekselentë. Dua tu bëj një thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave që studiojnë jashtë. Mesatarja për të konkurruar në Shkollën e Magjistraturës nuk është 8, por 6.2. Në radhë të parë, duke ju bërë apel kolegëve të mi të opozitës për të ardhur dhe për të votuar ndryshimet në ligj për tu dhënë mundësi në shtator kandidatëve fitues të fillojnë shkollën, dhe nga ana tjetër, ftoj të gjithë studentët që kanë studiuar jashtë, të vijnë dhe të kontribuojnë në Shqipëri.