Publikohen pamjet e dhunimit të avokatit Ilia Ilia në qytetin e Durrësit paraditen e së enjtes. Është ora 10 e 37 minuta kur avokati shihet duke biseduar me një person përpara godinës së prokurorisë së Durrësit. Sipas avokatit bashkëbiseduesi është inspektori i policisë Sadik Lasku.
Siç duket në pamjet e siguruara nga Tv Klan agresorët janë dy, njëri i veshur me sportiv dhe me një kapele në kokë. Të dy janë të pamaskuar. Njëri largon Laskun ndërsa tjetri duket që fillimisht i kërkon shpjegime avokatit. Në një moment ai e godet me grusht në fytyrë.
Afrohet edhe tjetri dhe të dy autorët nuk e ndalin dhunën ndaj avokatit. Gjithçka zgjat disa sekonda. Kur inspektori i policisë afrohet bashkë me një qytetar tjetër për të mbrojtur avokatin, autorët largohen me vrap. Inspektori i policisë, Lasku tentoi ta mbrojë avokatin, por dy autorët largohen me vrap.
Avokati tha në polici se e ka identifikuar njërin nga autorët. Ilia Ilia ka mbrojtur çështje të rëndësishme ndër vite. Ai ka qenë avokat mbrojtës i grupit të Shijakut dhe Lulzim Berishës.
Tv Klan