Pas më shumë se 2 vitesh përpjekje dhe sfidash politike, Kosovës i jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave nga Komisioni Europian. Në një konferencë të përbashkët me presidentin Hashim Thaçi, Komisioneri për Migracionin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramoloulos tha se kjo është një ditë e shënuar për Kosovën.
"Jam i lumtur të lajmëroj se të gjitha përpjekjet e Kosovës dhe puna vështirë drejt liberalizimit të vizave është shpërblyer. Prandaj sot mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. I bëj thirrje Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian të veprojnë shpejt. Jemi shumë pranë liberalizimit të vizave".
Lajmin më të mirë për Kosovën në dekadën e fundit, e ka cilësuar presidenti Hashim Thaçi dhënien e rekomandimit pozitiv nga ana e Komisionit.
"Kilometrat e fundit ishin shumë të gjata, por jam i lumtur që së bashku po ia dalim dhe shpresojmë që shumë shpejt qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza. Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të qytetarëve të Kosovës".
Rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian është hapi i parë që pasohet nga vota për liberalizimin në Parlamentin Evropian dhe më pas miratimi nga Këshilli Europian. Këto procedura pritet të mbyllen me sukses brenda muajve të ardhshëm dhe për Kosovën vendimi përfundimtar do të merret afër fundit të këtij viti.
Tv Klan