Shkodër, ekzekutohen në makinë ish-polici e bashkëjetuesja në sy të djalit 2-vjeçar

2018-07-15 0

Krimi i dyfishtë trondit Shkodrën. Një ish-punonjës policie dhe bashkëjetuesja e tij janë ekzekutuar me armë zjarri pak pas mesnate në qytetin e Shkodrës brenda në automjet. Skena e krimit tronditës ka ndodhur përpara syve të djalit 2-vjeçar. Dy viktimat janë Boran Bërcama, 30 vjeç, ish-punonjës i Policisë së Shtetit në Pukë dhe bashkëjetuesja Silvi Ndoci, 25-vjeçe, të cilët janë ekzekutuar me armë zjarri automatike e llojit "M5P". 23 gëzhoja janë gjetur në vendin e krimit.

Ata janë gjetur të vrarë brenda në automjetin e tyre "Mercedes Benz" me targa AA 006 HA, poshtë apartamentit ku banonin me qira, në një rrugicë të ngushtë, në orët e para të kësaj të diele. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen "Naim Gjylbegu" e cila njihet si një lagje e qetë, ndërsa konstatimi i viktimave është bërë nga fqinjët rreth orës 06:00 të mëngjesit të cilët kanë njoftuar policinë. Dyshohet se autorët kanë organizuar gjithçka me paramendim, teksa kanë pritur çiftin deri pas mesnate që të mbërrinin pranë banesës, ku edhe i ekzekutuan.

Në krim besohet se kanë marrë pjesë vrasës profesionistë, të cilët janë kujdesur të mos lënë gjurmë në vendngjarje. Në automjet ka qenë bashkë me çiftin edhe djali i tyre 2-vjeçar, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime, ndërsa është gjetur në prehrin e nënës në vendin e parë të makinës. Automjeti tip "Benz" është gjetur i ndezur nga fqinjët në orët e para të mëngjesit. Edhe pas mbërritjes së policisë dhe grupit hetimor automjeti siç duket edhe nga pamjet ka qënë në gjendje pune. Ish-efektivi Boran Bërçama ka qenë i martuar më herët nga e cila është divorcuar rreth 5 vite më parë, për t'u lidhur më pas me Silvi Ndocin, nga e cila kanë edhe një djalë 2-vjeçar.