Zbardhet skema si polici dhe avokati u merrnin 2 mijë € qytetarëve në emër të gjyqtarëve në Durrës

2018-07-14 2

Avokati Devis Qana dhe polici i gjykatës Haki Dyli, të cilët mashtronin qytetarët duke i marrë 2 mijë euro për ti zgjidhur problemet në gjykatë dhe prokurori janë lënë në masën e ?arrestit në burg?. Kallëzimi ndaj tyre është bërë nga vetë kryetarja e gjykatës së Durrës Joana Qeleshi, e cila është vënë në dijeni se këta persona kërkojnë sasi të konsiderueshme parash tek qytetarë të ndryshëm, me premtimin se lekët do jepeshin tek gjyqtarët dhe prokurorët për të zgjidhur punë.

Në shumë raste kjo skemë i ka funksionuar dy personave të arrestuar, pasi kur gjyqtarët vendosnin lirimin nga qelia të të arrestuarve, Qana dhe Dyli i thonin se kishin bërë punën sipas premtimit, ndaj dhe i mbanin lekët. Por kur gjyqtarët ose prokurorët nuk vendosnin ashtu siç kishin premtuar dy personat e arrestuar, atëherë ata i kthenin lekët e mara mbrapsht. Mirëpo në dijeni të kësaj skeme korruptive, duke shfrytëzuar emrat e disa prokurorëve dhe gjyqtarëve të Durrësit, ishte vënë në dijeni kryetarja e gjykatës së Durrësit Joana Qeleshi, e cila ka vendosur të bëjë kallëzim penal ndaj dy personave.

Kallëzimi është administruar nga prokurori Afrim Shehu, i cili në bashkëpunim edhe me policinë ka vijuar hetimet për të mësuar rreth aktivitetit të këtyre persona. Hetimi ka treguar se personi i parë që binte në kontakt me qytetarët ishte polici i gjykatës që qëndronte tek dera. Ky i fundit u kërkonte informacion qytetarëve se çfarë halli kishin në gjykatë dhe i premtonte se do i ndihmonte nëpërmjet një avokati, mikun e tij që kishte njohje me gjyqtarët e prokurorët.

Qytetarët për të zgjidhur hallin në mënyrë të shpejtë, pranonin të bashkëpunonin me Devis Qanën dhe Haki Dylin, kundrejt pagimit të shumave që varionin deri në dy mijë euro. Personi që interesohej në sekretarinë gjyqësore për të marë informacion ishte polici i gjykatës, Haki Dyli, i cili interesohej për kërkesat e palëve, vendimin e gjyqtarit, orarin e gjyqeve etj. E gjithë kjo dinamikë dhe dhënia e parave nga qytetarët pas premtimeve se do u jepeshin gjyqtarëve dhe prokurorëve, është zbuluar gjatë hetimeve, dhe për pasojë tre ditë më parë u urdhërua arrestimi i tyre.