Report Tv - Gjyqtari i '21 janarit' drejt 'djegies' nga Vettingu, KPK: Nuk justifikon pasurinë

2018-07-13 1

Anëtari i Gjykatës së Lartë, gjykatësi Tom Ndreca është përballur ditën e sotme me "sitën" e Vettingut. Ndreca kishte zgjedhur të ishte vetë i pranishëm në sallë gjatë seancës së sotme dëgjimore, ndërkohë që përfaqësohej edhe nga avokatja e tij, Mine Progonati. Trupi gjykues përbëhej nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.

Vettingu për Ndrecën po zhvillohet për tre komponentët bazë, atë të pasurive, anën profesionale dhe morale. Sipas KPK, ai nuk justifikon pasurinë e katërfishuar ndër vite dhe nuk ka deklaruar dënimin e kunatit për prodhim dhe shitje narkotikësh. Ndreca është bërë anëtar i Gjykatës së Lartë me propozim të presidentit Nishani dhe ka gjykuar dosjen e ?21 janarit? dhe i ka dhënë Lulzim Bashës në Gjykatë Bashkiën e Tiranës në garën kundër Edi Ramës.

Në 7 vite, nga 2003 deri në 2010, gjyqtari deklaron se ka blerë 4 shtëpi me kursime nga paga. Ndreca deklaron një apartament 120 m2 e garazh 18 m2 në rr. Muhamet Gjollesha të blerë në 2003 me vlerën e 2 milion e 400 mijë lekë, burim për të cilin është bërë shitja e një apartament në Rrëshen.

Më pas gjykatësi ka blerë një apartament në Golem blerë në 2009 me vlerë 31 mijë euro, një apartament tjetër me vlerën e 6 milion lekëve me sipërfaqe 92.6 m2 i blerë me kursimet nga paga e bashkëshortes. Në emër të bashkëshortes së tij rezulton një automjet dhe një llogari bankare me vlerën e 3 milion lekëve.