Elvis Roshi, ish-kryetar i Bashkisë së Kavajës, i akuzuar për falsifikimin e formularit të Dekriminalizimit i ka shpëtuar dënimit me burg. Gjykata e Tiranës ka vendosur heqje lirie për 5 muaj, por që iu konvertua me 60 orë punë në interes të publikut.
Edhe prokuroria kërkoi të njëjtën masë dënimi, por në të njëjtën kohë pezullimin. Kjo për shkak se Rroshi kishte kryer 4 muaj arrest shtëpie për këto akuza, gjatë periudhës së hetimit të çështjes.
Gjatë procesit, ish-Kryetari i Bashkisë së Kavajës pranoi se kishte falsifikuar formularin, por kjo sipas tij kishte ndodhur nga pakujdesia dhe se para plotësimit të tij ai nuk ishte konsultuar me një avokat. Sipas prokurorisë, Elvis Roshi nuk kishte deklaruar një dënim në Itali me 1 vit e 4 muaj burg për akuzën e përdhunimit në grup.
Gjithashtu në formular mungonin disa masa arresti dhe dëbime që Roshi kishte nga vende të tilla si Gjermani dhe Zvicra.