Në këtë sesion parlamentar që mbyllet pas 10 ditësh, vlerësohet të mos jetë bërë ndonjë ligj apo reformë e rëndësishme për qytetarët. Analisti Roland Lami thotë për Report TV, se debati politik ka qenë një shfaqje shterpë.
Ato janë thjesht ligje organike të procedurës së përditshme të qeverisjes, por nuk ka një ligj të cilit mund t?i adresojmë një vlerë të caktuar, sic ka pasur në mandatin e parë qeverisës të Partisë Socialiste. Sic ishte ligji për arsimin, shëndetësinë apo administrimin territorial. E parë në këtë këndvështrim më duket më shumë një vit fiktiv në kuptimin e ligjeve të cilët kanë impakt për vendin. Kjo qeveri ka gati një vit që është në pozicion mbrojtës, duke mbrojtur figura brenda qeverisë e partisë. I gjithë debati ka qenë akuzues nga ana e opozitës dhe mbrotjës nga ana e qeverisë. E parë në kuptimin e interesit publik ka qenë një vit legjislature shterpë dhe një shou në akuza mes palëve.
Roland Lami
Analisti Lami sheh shumë ngjashmëri mes mandatit të dytë të Ramës dhe atij të Berishës 2009-2013, të cilit i bashkon mbi të gjitha konsumimi.
Ka një rezistencë nga ana e kryeministri Rama për të mos ndryshuar kabinetin. Të njëjtën krizë pati edhe Berisha, i cili ishte konsistent për të mos ndryshuar kabinetin e tij edhe në mandatin e dytë. Këtë mandat të dytë, z. Rama më shumë është futur në një pozicion mbrojtës për të bilancin e mandatit të parë, sesa për të reformuar e sjellë risi tek mandati i dytë. E njëjta gjë ishte edhe në mandatin e dytë të z. Berisha.