Durresi shpall emergjencen mjedisore

2018-07-11 0

Emergjenca mjedisore në Durrës u shpall. Ishte ky, vendimi unanim i këshilltarëve të Këshillit Bashkiak.

Por një ditë më pas autoritetet e bashkisë nuk pranuan të tregojnë çfarë do të thotë kjo emergjencë. Si do të procedohet më tej? Gjithçka dihet, është vetëm ajo që ndodhi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Këshilltarët e djathtë kërkuan nga bashkia që të paraqesë pranë komitetit kombëtar të integrimit të mbetjeve pranë qeverisë raportin mjedisor. Për kryerjen e procedurave ngarkohet kryetari i bashkisë dhe drejtoritë përkatëse. Për  zbatimin  e këtij vendimi ata duhet të interesohen pranë  të gjitha  Institucioneve  qendrore  të konsideruara të nevojshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.

Lajmi mbërriti edhe tek banorët e Porto Romanos, të cilët prej më shumë se dy dekadash vuajnë nga niveli i lartë i ndotjes. Por, nuk u prit me entuziazëm. Janë skeptikë se sërish situata nuk do të ndryshojë.

Fusha ka mbi 25 vjet që shfrytëzohet dhe volumi aktual i mbetjeve në momentin e matjeve topografike   është rreth 530 000 metër kub mbeturina. Mbeturinat shtrihen në një sipërfaqe prej 18 hektarësh dhe  hidhen në mënyrë të pakontrolluar. Në mungesë të përpunimit, ato digjen në terren të hapur duke shkaktuar ndotje masive. Banorët kanë protestuar disa herë.

Krahas fushës së mbetjeve në Porto Romano, emergjencë mjedisore u kërkua të shpallet edhe në tre fusha të tjera. Bëhet fjalë për atë që ndodhet në bashkinë Sukth, Manëz, dhe Ishëm, ndonëse niveli i ndotjes këtu është pak më i ulët në krahasim me atë të Durrësit. Vendimi i marrë nga këshilltarët futet në fuqi 10 ditë pas publikimit.

Free Traffic Exchange