Kastriot Çipi dhe Robert Budina, të dënuar për vjedhje - News, Lajme - Vizion Plus

2018-07-10 2

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ky është vendimi i gjykatës së Tiranës, që dënon artistët Kastriot Çipi e Robert Budina për vjedhje të shtetit.



Dy regjisorët producentë që janë në krye të revoltës për mbrojtjen e teatrit, njëzet vite më parë morën miliona nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, për të realizuar një film dokumentar, që edhe pas dy dekadash nuk ka as spotin prezantues. Por, historia nuk mbaron kështu, me një film më pak në shqip. Ata nuk i kthyen kurrë paratë që morën asokohe, para të taksapaguesëve shqiptarë sot e dikur.



Atë kohë, Çipi e Budina aplikuan nën logon ?Artmedia Film? në thirrjen e hapur për projektet e reja artistike dhe fituan mundësinë e realizimit të idesë së tyre me ndihmën e QKK-së. Nga kjo qendër, ata morën fillimisht 8.8 milionë lekë nga 11 që ishte parashikuar për këtë projekt. Pjesa tjetër do t?i ndahej artistëve në dy këste, pasi të kishte përfunduar faza e parë e filmit.



Por, faza e parë, e dyta dhe i gjithë dokumentari nuk përfundoi kurrë. Në këto kushte, QKK i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, për të rikthyer paratë e projektit. Në vendimin e gjykatës theksohet se Budina kërkon një zgjidhje me kompromis, ndërsa dy regjisorët pretendojnë se e kanë kthyer shumën e marrë nga QKK, por nuk janë në gjendje ta vërtetojnë këtë gjë.



Në vitin 2006, Qendra e Kinematografisë me në krye aktorin Xhevdet Ferri, kërkon sërish t?i kthehen paratë dhe kamatëvonesa nga Çipi e Budina. Një muaj pas daljes së vendimit të prerë, QKK i është drejtuar zyrës së përmbarimit për të ekzekutuar urdhrin e gjykatës, por kjo zyrë është përgjigjur: Çipi dhe Budina nuk kanë pasuri për shlyerjen e detyrimeve.



Beteja për të marrë paratë e vjedhura nga Çipi e Budina vijon edhe vite më vonë. Pas Xhevdet Ferrit, ishte Artan Minarolli që vuri në dijeni edhe ministrin e drejtësisë në atë Kohë, Bujar Nishanin, por sërish heshtje.



Thuajse 20 vite më vonë, dy regjisorët e gjejnë veten përvetësues të fondit publik, e në mbrojtje të një prone publike, ndërsa i detyrohen shtetit 30 milionë lekë.