Operacion ndërkombëtar/ Shkatërrohet banda shqiptare që vidhte banesat në Gjermani e Francë

2018-07-10 1

Operacion i përbashkët ndërkombëtar për goditjen e një grupi të organizuar, me veprimtari kriminale në fushën e vjedhjeve të banesave. Gjermania, Franca, Shqipëria dhe Europoli, punuan krah për krah për t'i vendosur autorët e krimit para drejtësisë.

Si pjesë e një hetimi të përbashkët mbi një seri vjedhjesh banesash në Gjermani dhe Francë, oficerët e policisë shqiptare në bashkëpunim me homologët e tyre gjermanë dhe francezë dhe me mbështetjen e Europolit, javën e kaluar kontrolluan një numër të madh pronash në Shqipëri dhe arrestuan një shtetas të dyshuar se i përkiste një grupi të lëvizshëm të krimit të organizuar.

Kjo është faza e fundit e veprimeve në një hetim që ka paraprirë tashmë arrestimin e katër anëtarëve të tjerë të të njëjtit grup kriminal. Hetimi u nis nga autoritetet gjermane në Offenburg në gusht 2017, pasi një grup i krimit të organizuar shqiptar ra në rrjetën e tyre, për kryerjen e një numri vjedhjesh banesash në jug të Gjermanisë.

Në të njëjtën kohë, xhandarmëria franceze (OCLDI) po heton gjithashtu një grup kriminal shqiptar përgjegjës për më shumë se 45 vjedhje banesash në Francë.

Më pas u bë e qartë se të dy autoritetet ato gjermane dhe franceze, po hetonin të njëjtën organizatë kriminale e cila ishte aktive në të dy vendet njëkohësisht.

Në fillim të vitit 2018 u arrit në përfundimin se të dyshuarit nën hetim nga xhandarmëria franceze, i kishin zgjeruar aktivitetet e tyre kriminale në Gjermani.