Rama-Tsipras, ne Londër per marreveshjen

2018-07-10 0

Marrëveshja e detit mund të arrihet sot. Dy kryeministrat Edi Rama dhe Aleksis Tsipras do të takohen pasdite në Londër, gjatë samitit të procesit të Berlinit.

Burimet zyrtare të Televizionit Klan thonë se takimi me orën lokale do të zhvillohet në 18.30.

Vetëm nëse bien dakord për çfarë është arritur nga takimet e grupeve negociatore, saktësojnë ato, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Edhe pse të njëjtat burime e minimizojnë rëndësinë e këtij takimi duke e cilësuar si takimin e radhës ku thjeshtë do të rishikohet progresi i bërë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një intervistë të dhënë në Londër e cilëson si mundësi të artë për të përcaktuar linjën e drejtimit të këtij procesi. Ajo që bie në sy në intervistën e ministrit janë deklaratat e tij për vështirësitë që po hasen për shkak të një rezistence politike nga të dyja vendet.

?Nuk është një proces i lehtë, ka rezistencë politike në të dyja anët, qoftë në Shqipëri ashtu dhe në Greqi, por besojmë se me vendosmëri dhe vullnet politik të qartë ne në një të ardhme të afërt do të kemi produktet konkrete, qoftë për këtë marrëveshje ashtu dhe për pjesën tjetër që përbëjnë elementët e paketës që ne po diskutojmë me Greqinë.?

Në Shqipëri është presidenti Meta ai që ka shprehur disa herë rezerva për mënyrën si po zhvilloheshin negociatat duke refuzuar 2 herë publikisht firmosjen e autorizimit për nisjen e tyre dhe tashmë duke kërkuar më shumë informacione para të së të nënshkruajë autorizimin dytë, kësaj herë për ta finalizuar marrëveshjen. Kjo edhe për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese, që sipas Presidentit do të ishte garante për ligjshmërinë e këtij dokumenti.

Ndërsa rezistenca politike në Greqi është e njohur. Edhe sot media greke shkruajnë se edhe pse dakordësia për marrëveshjen është gati dhe mund të finalizohet javën e ardhshme, qeveria greke po nguron që ta nënshkruaje për të evituar kosto të mëtejshme politike pas reagimeve që shkaktoi në opinionin grek marrëveshja për emrin me Maqedoninë.