Pretendimi i dy partive të opozitës PD dhe LSI se është manipuluar votimi për ligjin e posaçëm për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, i çoi ata në bojkotimin e seancës plenare të kësaj të hënë.
Kërkesa zyrtare e dorëzuar të premten nga përfaqësuesit e opozitës është shqyrtuar nga Sekretariati për Procedurat dhe Votimin me përbërje 2 deputetët socialistë, Alket Hyseni dhe Adnor Shameti dhe demokrati Enkelejd Alibeaj. Me votën e socialistëve është vendosur që votimi të quhet i vlefshëm pasi nuk është konstatuar parregullsi.
Nga këqyrja e pamjeve filmike të seancës së shkuar është vënë re se ashtu siç pretendon opozita është votuar edhe me kartën e deputetit Vangjel Tavo, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë. Por kartën e tij të votimit duket se e ka përdorur deputeti, Robert Bitri i larguar para pak kohësh nga LSI. Shkakun e kësaj ngatërrese e shpjegon Taulant Balla.
Përfaqësues të mazhorancës thonë se edhe kjo ngatërrese në votim nuk e bën atë të pavlefshëm pasi nuk ka shtuar vota dhe ligji do të konsiderohej i miratuar edhe me një votë më pak. Pas konkluzioneve të Sekretariatit, Partia e Kryemadhit ka nisur sulmin ndaj ish-kolegut të tyre Bitri.
Por mazhoranca thotë se arsyeja e vërtetë e skenarit të opozitës ishte projetkligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili me propozim të kryetari të grupit, Balla u shty për seancën e radhës me shumë gjasë për mungesë votash pasi kërkon 84 të tilla për t'u miratuar.
Bojkotin e seancës nga opozita, maxhoranca e lidh me frikën e një rrjedhje votash nga radhët e saj për projektligjin që i hap rrugën emërimit të magjistratëve të rinj dhe rikthimin e kësaj kompetencë të KLD dhe Prokuroria e Përgjithshëm.