Ora News - Sekuestrot e milionave bien në gjykata, vetëm në 6 muaj u kapën afro 20 mln euro

2018-07-08 0

Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Në 6 muajt e parë të këtij viti, Policia e Shtetit ka sekuestruar afro 20 milionë euro pasuri të dyshuara si kriminale. Nga ana tjetër, në 8 vitet e fundit shuma që u është sekuestruar bandave kriminale arrin në 167 milionë euro. Ora News zbardh të plotë ecurinë e proceseve të sekuestrimeve të këtyre pasurive, nga viti 2010 deri në ditët e sotme, nga ku vihet re se gjykatat kanë liruar nga bllokimi më shumë se 2 të tretat e pasurive të bllokuara nga policia.

Policia e shtetit ka sekuestruar rreth 20 milionë euro pasuri të vendosura nga aktiviteti kriminal në 6 mujorin e parë të këtij viti në kuadër të ligjit antimafia dhe atij të "Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit". Kjo shumë përbën gati dyfishin e sekuestrimeve të kryera në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga të dhënat që Ora News disponon nga burime të besueshme nga agjencitë ligjzbatuese, rezulton se nga janari deri në qershor 2018, janë sekuestruar 10 milionë euro me ligjin "Antimafia" dhe 9.7 milionë euro sipas ligjit të "Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit", parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal. Një vit më parë, me ligjin "Antimafia" u sekuestruan 11.6 milionë euro, ndërsa për pastrim parash ishin 38.6 milionë euro.

Përveç këtij viti, shuma më e madhe që është sekuestruar në këtë 8-vjeçar është ajo e 2016-ës, me afro 50 milionë euro. Në lidhje me sekuestrimet e këtij viti, pjesa më e madhe e tyre përfshihet në operacionin "Forca e Ligjit", ku janë kryer 13 operacione nga nëntori i vitit të kaluar, deri në korrikun e këtij viti. Aty spikat sekuestrimi i hotelit të familjes Balili, që vlerësohet në 6.7 milionë euro apo disa prona të tjera në Bajzë të Malësisë së Madhe, në pronësi të një Ndue Pepajt, që akuzohet për trafik droge. Gjithashtu, 3.4 milionë euro që erdhën në Durrës me "Toyota Yaris" ndodhen në listën e këtyre parave të sekuestruara, ashtu siç janë edhe disa raste të tjera. Nga ana tjetër, në 2 muajt e vjeshtës të vitit të kaluar, u organizua operacioni "Vjeshtë 2017", ku në fokus ishin makinat luksoze, por edhe pasuri të tjera. Vetëm përgjatë atyre 2 muajve u sekuestruan afro 40 milionë euro, por pjesa më e madhe e automjeteve, iu rikthye sërish pronarëve.

Për më shumë lexoni në: http://oranews.tv/article/sekuestrot-e-milionave-bien-ne-gjykata-vetem-ne-6-muaj-u-kapen-afro-20-mln-euro