Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në orët e para të mëngjesit në një lokal nate në Dhërmi, 37 km nga Vlora. Mësohet se disa të rinj janë konfliktuar dhe kanë qëlluar me armë në ajër, pas një sherri në ambientet e një disko mjaft të njohur në jug të vendit.
Report Tv mëson se ngjarja ka ndodhur brenda në disko "Havana" në zonën e plazhit, mjaft e frekuentuar kryesisht nga të rinjtë dhe jo vetëm, gjatë sezonit turistik. Gjatë sherrit, klientët kanë ikur me vrap të alarmuar dhe për pasojë disa prej tyre janë lënduar nga gotat dhe shishet e thyera. Përplasja me armë ka shkaktuar panik edhe te turistët të cilët kanë zgjedhur Dhërmiun për të pushuar, ndërsa ngjarje të tilla vënë në pikëpyetje sigurinë në zonat turistike, pavarësisht masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e sezonit.
Në informacionin paraprak, policia njofton se, "pas konfliktit në lokal, një person ka qëlluar në ajër, por nuk ka persona të lënduar". Ndërsa, uniformat blu bëjnë me dije se orët në vijim do të zbardhin ngjarjen e plotë, duke sqaruar se kanë kapur dhe shoqëruar autorin e dyshuar i cili ka qëlluar me armë zjarri.
Ka ndodhur nje konflikt ne nje lokal. Nje person ka qelluar me arme ne ajer. Nga te shtenat s?ka asnje te lenduar. Policia ka nderhyre menjehere ku ka bere te mundur kapjen dhe shoqerimin e autorit te dyshuar. Grupi hetimor eshte duke punuar per dokumentimin e plote te ngjarjes.
Thuhet në njoftimin e policisë
Ngjarja në disko "Havana" në Dhërmi vjen pas plagosjes me armë zjarri në disko "Mango" në Sarandë në fillim të muajit qershor, ku u qëllua me armë zjarri truproja, Ardian Rako, 31-vjeç. Edhe aty protagonistë ishin disa të rinj të cilin u përfshinë në një sherr me njëri-tjetrin dhe për rrjedhojë pati të shtëna me armë zjarri.