Ky tërmet nuk do harrohet shpejt. Disave u mori pasurinë më të mëdhe, shtëpinë. Por familjet që u dëmtuan në Kurbin ndihen me fat që u kanë shpëtuar familjarët. Ndue Gega me banim në këtë zonë, thotë se fëmijët ishin në gjumë kur ra tërmeti.
Banesa e tij është e pabanueshme, dëmtimet nuk mungojnë në çdo anë të murit. I zoti i shtëpisë bashkë me familjen, tani e tutje do të qëndrojnë në kasolle. Një tjetër banesë është shembur nga tërmeti në malësinë e Kurbinit.
Dëmtime nga lëkundjet e tokës pati edhe një pallat 5-katësh në Thumanë të Krujës. Të gjithë hyrjet e ndërtesës kanë pësuar plasaritje dhe çarje muresh. Njësitë vendore po verifikojnë të gjitha dëmet e shkaktuara nga tërmeti që ra të mërkurën paradite në disa zona të vendit.