Prej më shumë se 3 muajsh, kryetari i PD, Lulzim Basha dhe opozita në tërësi kanë kundërshtuar projektin për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re mbi rrënojat e tij. Opozita e ka cilësuar projekt mafioz që ka qëllim pastrimin e parave të pista, ndërsa sot Basha vendosi që të shkonte para teatrit për të firmosur një peticion kundër shembjes.
Por në përfundim të fjalës jashtë ambienteve të Teatrit Kombëtar, një qytetar nuk u lejua t?i drejtonte një pyetje Bashës dhe të fliste. Kamerat fiksuan momentin kur qytetari tentoi që të fliste në podiumin e improvizuar para teatrit, por bllokua dhe debatoi me deputeten e PD, Albana Vokshi, ndërsa më pas u largua nga organizatorët.
Ndërkohë që një tjetër detaj që tërhoqi vëmendjen ishte mungesa e artistëve. Në takimin nga komuniteti i aktorëve ishte Neritan Liçaj një disa artistë, ndërsa sheshi para teatrit ishte mbushur me simpatizantët e opozitës. Kujtojmë që pak ditë më parë Bashkia e Tiranës e arriti marrëveshjen me artistët për të negociuar për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.