Report TV - Kryeprokurorja Arta Marku kalon vettingun, konfirmohet në detyrë

2018-07-04 0

Kryeprokurorja Arta Marku rikonfirmohet në detyrë, pasi kalon me sukses procesin e Vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi një procedurë të thellë hetimi bazuar në 3 kritere, atë të pasurisë, aftësive profesionale dhe kriterin moral. Trupi gjykues vendosi rikonfirmimin në detyrë për Markun.

Vendimi mund të ankimohet në KPA nga subjekti i vlerësimit ose komisionerit publik brenda 15 ditëve. Seanca dëgjimore e një ditë më parë u shoqërua nga replikat mes përfaqësuesit të ONM, Theo Jacobs dhe avokates së kryeprokourores, Lirime Çukaj, lidhur me një ankesë të një qytetari, i cili është mbajtur në qeli me kërkesë të Arta Markut, pasi ishte ndaluar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Jacobs tha se paraburgimet në Shqipëri janë të tejmbushura dhe kjo edhe si rrjedhojë e rolit të prokurorëve në hetimin penal.

Pas dhënies së vendimit nga KPK, avokatja Lirime Çukaj u ndal te lëvizjet e Arta Markut në Prokurori, pas vërejtjeve nga trupa e Vettingut një ditë më parë, të cilat kryetares së trupës së KPK, Suela Zhegu, nuk kishin dhënë rezultat. Sa i takon mbajtjes në burg të të ndalurit për drejtim automjeti në gjendje të dehur, Çukaj tha se politika penale ka qenë e ndryshme nga sa është sot.

Politika penale ka qenë e ndryshme. Sa i takon komandimeve, ka një qëndrim të konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese. Vendimi ishte i qartë. Në kuadër të kësaj fryme janë bërë edhe komandimet. Prokurorët e seancës janë të pavarur. Nuk ndikon dot prokurori i përgjithshëm për masat e sigurisë.